Bayerni nuk i ndahet barazimit, tri ndeshje radhazi me të njëjtin rezultat

Bayern Munich ka regjistruar edhe barazimin e tretë radhazi në Bundesligë.

Bavarezët nuk arritën më shumë se 1:1 në duelin ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit gjerman.

Sfida ishte e balancuar dhe shumë e luftuar, teksa skuadra e Nagelsman ishte e para që kaloi në avantazh në minutën e 34-t, kur pas një aksioni të bukur, Muller gjeti Sane në zonë dhe sulmuesi nuk fali përballë portierit Trapp.

Megjithatë Eintracht Frankfurt nuk hoqi dorë për asnjë moment nga kërkimi i golit të barazimit, të cilin e gjeti në minutën e 69’ me anë të sulmuesit francez Kolo Muani, i cili shënoi për herë të 7 këtë sezon në Bundesligë.

Trajneri Nagelsmann bëri disa zëvendësime, në tentativë për të gjetur golin e fitores, megjithatë deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe të dy skuadrat ndanë nga një pikë.

Me barazimin e tretë radhazi, Bayern sheh t’i shkurtohet distance me ndjekëset, pasi tashmë Union Berlin ka vetëm një pikë më pak, ndërsa Leipzig dy më pak dhe janë gati t’i kërcënojnë fronin.