Lautaro përmbys Cremonesen, Interi ngjitet në vendin e dytë në renditje

 

Interi reagon pas humbjes shtëpiake përballe Empolit, duke fituar me përmbysje 2-1 në transfertë ndaj Cremoneses. Protagonisti absolut i zikaltërve ka qenë Lautaro Martinez, autori i një dygolëshi, që ka vulosur fitoren e skuadrës së Inzaghit. Falë këtij suksesi Interi ngjitet në vendin e dytë në renditje në kuotën e 40 pikëve, 2 më shumë se rivalët e Milanit, që do të luajnë nesër ndeshjen respektive.

Ndeshja nisi malore për të besuarit e Inzaghit, pasi në minutën e 11’ Okereke lëshoi një goditje perfekte nga jashtë zonës, duke gjetur trekëndëshin e portës së Onanës dhe duke u dhënë avantazhin vendasve.

Megjithatë ky gol zgjoi zikaltrit, që zhvendosën lojën në gjysmëfushën e vendasve dhe gjetën golin e barazimit në të 21-tën me anë të Lautaros, që u gjend në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë një top të grushtuar nga portieri i Cremoneses.

Edhe goli i dytë u shënua nga argjentinasi, që ishte më i frymëzuar me shiritin në krah dhe në të 65-n mori një pasim të bukur në zonë, për të dërguar topin në rrjetë.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar, me Interin që merr tre pikët dhe ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 40 pikë, gjithsesi shumë larg Napolit që kryeson renditjen.