Barcelona vuan ndaj Gironas, por Pedri shpërblen katalanasit me golin vendimtar
Barcelona merr një fitore me vuajtje ndaj Gironas me shifrat 1-0. Goli që vendosi takimin, ishte nga mesfushori i katalanasve Pedri. Sfida nisi me të njëjtin ritëm nga të dyja skuadrat, me Gironan që provoi të sfidonte Barcelonën.
Në mesin e pjesës së parë, Xavi u detyrua të zëvendësonte Ousmane Dembele, pasi ky i fundit pësoi një dëmtim. Në vendin e francezit, në lojë u inkuadrua autori i golit. Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë foli për Barcelonën që arriti të thyente mbrojtjen e Gironas pas 60 minutave lojë. Jordi Alba nga krahu i majtë, shërbeu një top mjaft të mirë në zonë i cili u shty në rrjetë nga Pedri.
Me këtë fitore, Barcelona kryeson La Ligan me 47 pikë të grumbulluara, gjashtë më shumë se Real Madridi. Girona nga ana tjetër mbetet në vendin e 12-të me 21 pikë.