Shkatërrohet banda në Austri/ Në pranga 5 shqiptarë, sekuestrohet 260 mijë euro kanabis

Policia austriake arrestoi 13 persona, gjatë një operacioni të zhvilluar në Tirol të Austrisë, ku mes tyre edhe 5 shqiptarë, të cilët merreshin me shitjen e lëndëve narkotike.

Nga raportimet për mediat, bëhet me dije se janë sekuestruar mbi 26 kg marijuanë me vlerë rreth 260 mijë euro.

Policët hetuan 16 të dyshuar dhe më pas në nëntor dhe dhjetor 2022 kontrolluan gjithsej 13 apartamente në rrethet e Kufstein, Innsbruck Land, qytetin e Innsbruck dhe Steyr.

Më pas policia ka zbuluar mbi 26 kg marijuanë, në vlerë rreth 260 mijë euro, si dhe janë sekuestruar disa telefona dhe një makinë.

Sipas policisë, disa nga të akuzuarit i kanë pranuar krimet dhe dyshohet se gjatë dy viteve të fundit kanë sjellë në Austri deri në 32 kilogramë kokainë dhe deri në 100 kilogramë marijuanë.

16 të akuzuarit janë meshkuj nga mosha 19 deri në 50 vjeç, katër shqiptarë të Shqipërisë dhe një i Kosovës, tre austriakë, dy turq, dy italianë, dy maqedonas, një serb dhe një boshnjak.