SYRI TV/ Ndryshohet gjyqtarja e sëmurë, sëmuret i penduari. Mungon Luftar Reçi
Dështon për herë të tretë përballja Luftar Reçit, të penduarit të drejtësisë me Emiljano Shullazin dhe grupin me të pandehurit tjerë për vrasjen e Vajdin Lames e Klodian Saliut.
Në dy seancat e mëparshme shkak ishte bërë mungesa e gjyqtares Etleva Deda pasi ndodhet prej ditësh e shtruar në spital. Për këtë arsye Gjykata e Posaçme caktoi një tjetër gjyqtare, Rudina Palloi, por pavarësisht kësaj në nisje të seancës u konstatua mungesa e Luftar Reçit.
Shkak sipas mbrojtësit të tij është gjendja shëndetësore e të pandehurit, e cila theksoi ai, paraqitet delikate. Burime bëjnë të ditur se ai ka probleme me frymëmarrjen për shkak të mbipeshës, por diçka e tillë nuk është e provuar me raport mjekësor, ndërsa Gjykata urdhëroi që në seancën e radhës të bëhet shoqërimi i detyrueshëm i tij.
Seanca e radhës për të ballafaquar Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin, Indrit Rusin dhe Indrit Taullaun me Luftar Reçin është caktuar më 6 shkurt. Këta persona janë arrestuar për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në 2005. Reçi është bërë shkak për arrestimin e anëtarëve të grupit, me dëshmitë e tij, duke treguar emrat e porositësve, organizatorëve dhe ekzekutuesve të Lames e Saliut.
Ndërkohë Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj ndodhen në arrati në lidhje me këto dy vrasje. Ky i fundit u shpall në kërkim vetëm pak ditë më parë në kuadër të operacionit "Komploti" edhe si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe "Rrumit të Shijakut" në 2019, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.