VIDEO-SYRI TV/ 4 vëllezërit pjesë e grupit kriminal, shisnin drogën në veri të Italisë

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni me dhjetra të arrestuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane për goditjen e një grupi kriminal të trafikut të drogës. 

Disa prej tyre i përkasin familjes Beu, ndërsa burime bëjnë me dije se janë vëllezër me njëri-tjetrin, dhe përkatësisht Gernard, Emirjan dhe Dorian Beu.

Kjo familje u bë e njohur disa kohë më parë me të motrën e tyre, Florinda Beun që vazhdon të jetë në masën “Arrest shtëpie”. Ajo ra në pranga bashkë me ish-zv ministren e Brendshme, dhe akuzohet se i dha Rovena Vodës 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për tu punësuar në ministri përmes avokates Majlinda Hasani.

Burime bëjnë me dije se në përgjimet që janë kryer, anëtarët e grupit kriminal flasin edhe për episodin korruptiv mes Vodës e Beut si dhe ish-prokurorit Edmond Karriqi, që është arrestuar gjithashtu për korrupsion.

Hetimet kishin nisur që prej vitit 2017, me zbulimin e një çante shpine me dy kilogramë kokainë brenda, e hedhur nga një makinë në autostradë teksa u gjet nga policia rrugore.

Policia italiane arrestoi në atë kohë pronarët, teksa zbuloi se ngarkesa fshihej në dy “fabrika” të kokainës dhe heroinës në Kremones dhe Milano.

Autoritetet e vendit fqinj thonë se mbërrinte e pastër nga Shqipëria dhe më pas pritej dhe shpërndahej në veri të Italisë. 4 vëllezërit Beu jetonin në zonën e Breshias dhe merreshin kryesisht me shitjen e drogës në këtë qytet, në Milano si dhe në provincat përreth tyre. Në vitin 2018, gjatë mbajtjes nën vëzhgim të 4 vëllezërve shqiptar, u arrestua njëri prej tyre që ishte ende i mitur.

Tetë kilogramë hashash, para cash dhe bllokun mbi të cilin grupi kishte bërë të gjitha kontabilitetet e punëve iu sekuestrua. Gjatë operacionit për ekzekutimin e 119 urdhër arresteve u sekuestruan në total qindra kilogram kokainë, heroinë dhe merijuanë, para dhe sëende të tjera me vlerë mbi 5 milionë euro.

21 urdhër arreste ishin lëshuan vetëm në Shqipëri nga të cilët u ekzeutuan 15. Ndërkohë që 3 personazhe ishin kokat e trafikut të drogës, përkatësisht Braniol Lico, Gernard Beu dhe shtetasi E. M. Qendra e trafikut me Shqiopërinë ishte Durrësi.