‘Dita e Holokaustit’/ Zhupa: I përjetshëm kujtimi i viktimave të Shoahs dhe atyre të tragjedisë çame

Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka kujtuar 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit.

Në postimin e saj në Facebook, Zhupa thekson kjo është një ditë jo vetëm përkujtimi e nderimi për jetët e shuara të tyre, por edhe moment reflektimi për të gjitha viktimat e shtypjes e gjenocidit vetëm sepse ishin të ndryshëm nga tjetri në pushtet.

Gjithashtu Zhupa ka kujtuar se ne si shqiptarë, qysh nga veriu i Kosovës e deri në Konispol, jemi krenarë që pikërisht në orën më të zezë, ne iu gjendëm pranë popullit hebreas dhe shpëtuam me qindra e me mijëra pleq e plaka, burra, gra e fënijë, të cilët mundën të vinin në Shqipëri.

Deputetja demokrate është ndalur edhe te terrori dhe dhuna e pashembullt zerviste që nuk i kurseu banorët e pafajshëm të Paramithisë më 27 qershor 1944 dhe për të shpëtuar kokat, dhe me shpresën se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, mijëra çam kaluan kufirin shtetëror në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 dhe u ngulën përkohësisht në fushat përreth Sarandës dhe Delvinës.

Postimi i plotë:

Sot, më 27 janar kujtojmë të gjithë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit.

Është kjo një ditë jo vetëm përkujtimi e nderimi për viktimat e asaj zezone të pashembullt dhe kujtimin e jetëve të shuara të tyre, por edhe moment reflektimi për të gjitha viktimat e shtypjes e gjenocidit vetëm sepse ishin të ndryshëm nga tjetri në pushtet.

Ne si shqiptarë, në mbarë trojet tona, qysh nga veriu i Kosovës e deri në Konispol, jemi krenarë që pikërisht në orën më të zezë, ne iu gjendëm pranë popullit hebreas dhe shpëtuam me qindra e me mijëra pleq e plaka, burra, gra e fënijë, të cilët mundën të vinin në Shqipëri.

Si deputete e zonës, unë e kam për nder të vlerësoj trashëgiminë e lashtë hebrease në qytetin e Sarandës, që përfaqësohet nga Sinagoga e famshme, por përkujtoj komunitetin historik hebreas të Delvinës, të çmoj kujtimin e familjeve shqiptare që shpëtuan hebreasit gjatë luftës.

Mirëpo viti 1944 shënoi një tragjedi të pashembullt edhe për vëllezërit e motrat tona në Çamëri. Terrori dhe dhuna e pashembullt zerviste nuk i kurseu banorët e pafajshëm të Paramithisë më 27 qershor 1044. Për të shpëtuar kokat, dhe me shpresën se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, mijëra çam kaluan kufirin shtetëror në verën dhe vjeshtën e vitit 1944 dhe u ngulën përkohësisht në fushat përreth Sarandës dhe Delvinës.

Ne sot nderojmë edhe kujtimin e atyre qindra pleqve e plakave, grave e fëmijëve që nuk i qëndruan dot dimrit të egër të vitit 1944-1945, skamjes, sëmundjeve dhe vështirësive të tmerrshme të atyre ditëve, dhe që sot prehen në varrezat e Kllogjerit.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të Shoahs. 

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të tragjedisë çame.

Dokumenta nga arkiva amerikane për tragjedinë çame ku flitet për 25.000 familje refugjate dhe 10.000 fëmijë??