Shkodra nën ‘vëzhgimin’ e krimit, 5 të shoqëruar për kamerat e paligjshme

Detaje të reja janë zbardhur për operacionin e dytë të Policisë së Shkodrës me emrin “Fijet”, lidhur me çmontimin e 38 kamerave të sigurisë, të cilat dyshohet se janë vendosur nga grupet kriminale.

Burime për Syri TV nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se deri më tani ka pasur 5 persona të shoqëruar, të cilët janë pyetur nëse kanë pasur apo jo dijeni për vendosjen apo kontrollimin e kamerave të sigurisë.

Të njëjtat burime thonë se shoqërimet do vijojnë edhe verifikimet e zonave publike, por edhe në lagje, pra kontrollet do të jenë intensive dhe të hollësishme.

Policia ka dyshime të forta se ka kamera të vendosura deri në afërsi të qendrës së qytetit. Verifikimi dhe kontrollet për kamerat kanë qenë në disa zona të ndryshme të qytetit si në lagjen “Kongresi i Përmetit”, lagjen “Salo Halili”, lagjen “Kiras” dhe në zona të tjera.

Kamerat e sigurisë kanë qenë të vendosura në shtylla elektrike.