225 mijë dollarë ryshfet nga Edi Rama, merret i pandehur ish-zyrtari i FBI. McGonigal rrezikon 20 vjet burg!
Ish-drejtuesi i lartë i FBI-së, Carls McGonigal doli para Gjykatës në Washington DC të Shteteve të Bashkuara ku u mor i pandehur për akuzat se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mosraportimin e lidhjeve të tij me zyrtarë të lartë në Shqipëri mes të cilëve edhe me kryeministrin e vendit Edi Rama.
Paralelisht me këtë, ndaj McGonigal, gjykata e Nju Jorkut ka ngritur akuza të tjera ndaj tij, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska.
Syri Televizion ka siguruar transmetimin audio të seancës në ngarkim të McGonigal, që u mbajt pasditen e të mërkurës në Washington, në të cilën ai dhe avokatët e tij janë njohur me akt-akuzën e ngritur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Gjyqtari i çështjes i komunikoi akuzat, nga faktimi i të cilave McGonigal rrezikon 20 vite burg.
Pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për t’u njohur me akuzën dhe seanca e radhës do të mbahet më 24 shkurt. Gjyqtari i çështjes i ka renditur ish-drejtuesit të FBI-së McGonigal, një listë kushtesh të cilat përfshijnë ndër të tjera, dorëzimin e të gjitha pasaportave, mos marrjen e asnjë dokumenti që i mundëson udhëtime ndërkombëtare, mos-hapjen e asnjë llogarie financiare apo linje krediti, mos kontaktimin e asnjë prej viktimave apo personave të tjerë të akuzuar, përveçse në praninë e këshilltarëve ligjorë.
Në aktakuzë përmenden 4 takime me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ndërkohë që theksohet se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë, mes të tjerash, që të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.
Skema/ Si e korruptoi Edi Rama, McGonigal
Plot 4 herë është takuar kryeministri Edi Rama me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI, në New York. Takimet janë realizuar në Tiranë dhe New York. Ndërmjetësuesit kanë qenë 'Personi A' siç thuhet në dosjen e FBI, që dyshohet të jetë Agron Neza dhe 'Personi B', Dorian Duçka, ish-zyrtar i shtetit shqiptar, aktualisht drejtor i një kompanie kineze.
225 mijë dollarë është paguar Charles McGonigal për shërbimet e lobimit të kryera në interes të Edi Ramës në SHBA, për të goditur Partinë Demokratike dhe përfaqësuesit e opozitës.
Madje, 80 mijë dollarë ia ka dorëzuar zyrtarit të FBI pikërisht Agron Neza, në garazhin e një restoranti në New York. Të gjitha këto janë pjesë e dosjes hetimore të FBI për Charles McGonigal ku përmendet edhe Edi Rama si ideatori i skemës së korrupsionit.
Gjyqi do të vijojë
Në një seancë të gjykatës së Uashingtonit që zgjati më pak se 15 minuta dhe ku i pandehuri McGonigal mori pjesë virtualisht, u ra dakord që ai të gjykohej në gjendje të lirë dhe që seanca e ardhshme të mbahet në një moment të dytë.
Seanca u përqendrua kryesisht në detajet teknike të procesit.
Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska.
Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt garancisë financiare prej 500 mijë dollarë, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.