Humbi kontaktet me familjen që prej 20 janarit, gjendet i pajetë 41-vjeçari në Pukë
Një 41-vjeçar i zhdukur prej 5 ditësh, është gjetur pasditen e kësaj të mërkure pa jetë.
Sipas informacioneve nga policia, bëhet fjalë për shtetasin Vladimir Kola, nga Fierza me banim në Durrës.
Gjithashtu mësohet se trupi i pajetë i tij u gjet në një pus uji.
Pasi kishte shkuar në vendlindje dhe kishte vizituar disa prej familjarëve, Kola kishte shkëputur kontaktet me familjen prej 20 janarit.
Mësohet gjithashtu se 41-vjeçari, i pamartuar, njihej si përdorues i pijeve alkoolike dhe kishte pasur edhe më herët humbje të kontakteve me familjarët.
Ndërkohë trupi i pajetë i Kolës sapo ka mbërritur në morgun e spitalit të Pukës, ku po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.
Njoftimi i policisë:
Fushë Arrëz/Informacion paraprak.
Më datë 25.01.2023, Policia është njoftuar nga familjarët e shtetasit V. K., 49 vjeç, banues në fshatin Fierzë, Fushë Arrëz, se prej 4 ditësh ata kishin humbur kontaktet me këtë shtetas. Pas kërkimeve të bëra, në përroin e fshatit Fierzë, Fushë Arrëz, është gjetur pa shenja jete shtetasi V. K.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka rënë aksidentalisht në përrua.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.