SYRI TV/ 7 kallëzime në SPAK për Artur Bushin, prokuroria nuk tregon paditësit
Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi është kallëzuar 7 herë në Prokurorinë e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK), ndërsa për 3 prej tyre ka nisur hetimi. SPAK ka referuar dy material me kallëzime në prokuroritë e rretheve, ndërsa për dy të tjerë ka kërkuar pushimin. Organi i akuzës shprehet i rezervuar mbi subjektet që kanë bërë kallëzime, akuzat që kanë pretenduar apo veprimet për të cilat janë ngritur.
SYRI TV
7 kallëzime penale janë bërë në Prokurorinë e Posaçme ndaj kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi.
Burime pranë kësaj strukture bëjnë të ditur se nga materialet e referuara në SPAK, për 3 prej tyre është regjistruar procedimi penal, për 2 është vlerësuar që ato të dërgohen për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve dhe për dy kallëzime të tjera është vendosur mosfillim procedimi.
Por përkundër këtyre të dhënave, emri i Artur Bushit, deri në këtë fazë të hetimit, nuk është i regjistruar në regjistrin e procedimeve penale. SPAK tregohet i rezervuar për të bërë të ditura detaje të çështjeve që i përkasin zyrtarëve vendorë duke mbajtur të fshehtë se për çfarë kallëzimesh bëhet fjalë, kush janë kallëzuesit, apo veprat penale për të cilat akuzohet, në rastin konkret kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi.
Nga ana tjetër, burime jo zyrtare bëjnë me dije se bëhet fjalë për procedura tenderash apo kallëzime për shpërdorim detyre.
Kujtojmë se dy nga kryebashkiakët e hetuar dhe gjykuar janë Fatos Tushe i Lushnjes dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.
I pari është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa i dyti është ende në gjykim.
SPAK ka kërkuar për Ismailajn 1 vit burg, ndërsa seance e vendimit prej të paktën 2 muajsh shtyhet me argument të ndryshme.
Edhe ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi është marrë në pyetje pak ditë më parë, rreth hetimeve për tenderat në zonën bregdetare të Golemit në kohën kur drejtoi këtë bashki.