Thiago Silva nuk njeh moshë, Chelsea ka gati rinovimin edhe për një vit

Veterani brazilian Thiago Silva mbërriti te Chelsea nga PSG në gusht të vitit 2020 dhe tani është afër rinovimit të bashkëpunimit me klubin londinez.

Silva ishte i mrekullueshëm në fanellën e Bluve dhe luajti një rol kyç në fitimin e Ligës së Kampionëve në vitin 2021, dhe pavarësisht formës së dobët të Chelseat këtë sezon, braziliani po luan mirë.

Mbrojtësi është 38 vjeç dhe i skadon kontrata në fund të sezonit, dhe më parë pritej të largohej nga Chelsea këtë verë dhe ndoshta t'i jepte fund karrierës.

Megjithatë, të gjitha indikacionet tregojnë se Silva do të qëndrojë në Stamford Bridge pasi menaxheri Graham Potter nuk dëshiron të humbasë një lojtar me përvojë dhe një lider të vërtetë në fushë.

Nëse ai nënshkruan një kontratë të re, do të thotë se ai do të qëndrojë në Chelsea përtej ditëlindjes së tij të 39-të. Është padyshim një arritje në aspektin  personal, pasi nuk ka lojtarë aktivë të asaj moshe në Premier League.