SYRI TV/ PL denoncon gjendjen e rrugëve të Tiranës, Blushi: 'Tefta Tashko Koço' u asfaltua 4 herë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi denoncoi gjendjen e rënduar të rrugëve në bashkinë e Tiranës. Sipas tij, rruga “Tefta Tashko Koço”, u asfaltua 4 herë nga kryebashkiaku Veliaj, por edhe pas ndërhyrjeve gjendja e saj rezulton e degraduar prej cilësisë së dobët të punimeve. Blushi deklaroi se kjo situatë është dëshmi e qartë e  keqpërdorjes së fondeve publike nga Veliaj dhe klientët e tij. 

Ai tha: “Cilësia shumë e dobët e investimeve dhe standardet e punimeve që lenë për të dëshiruar janë dëshmi e qartë se fondet publike dhe taksat e banorëve të kësaj lagjeje që duhet të shkonin për përmirësimin e infrastrukturës në Rrugën “Tefta Tashko Koço” janë keqpërdorur barbarisht dhe kanë përfunduar në xhepin e Erion Veliaj dhe klientëve të tij.

Katër asfaltet e hedhura në këtë rrugë, janë mirëfillti katër vjedhje të taksave të banorëve të Njësisë 2, të cilët rrugën me standarde dhe kanale kullimi e shohin vetëm në fotot me filtra të propagandës së Erion Veliajt, por jo në realitetin e hidhur që prekin çdo ditë.

Rrugët e ndershme nuk kanë nevojë as për katër investime, as për katër inagurime dhe as për katër kronika televizive, por vetëm për një investim të ndershëm, që nuk vidhet por që jeton për të paktën katër dekada."