Marrëveshja me PD/ Dule: Zgjedhjet janë si referendum, do dalim me fitore

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pas firmosjes së marrëveshjes me PD, u shpreh se ky bashkëpunim do ta çojë opozitën drejt fitores në 14 maj.

Ai tha se këto zgjedhje kanë një karakter referendar, prandaj opozita duhet të punojë sa më shumë dhe do të dalë me fitore më 14 maj.

“Shpreh kënaqësi për nënshkrimin e marrëveshjes. Është një bashkëpunim i hershëm me PD, dhe në shumë drejtime i suksesshëm. Do të veçoja bashkëpunimin në vitet 2005-2009, është nga katërvjeçarët më të suksesshme të qeverisjes në vend.

Kjo marrëveshje nënshkruhet në kushtet ku demokracia në vendin tonë janë në intubim. Me të gjitha risqet që një gjendje e tillë klinike përfshin edhe organizmin e shtetit.

Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por na garanton fitore. Synojmë që të sjellim kandidaturat më të denja për komunitetin. Primaret ishin një risi dhe një realitet i pakthyeshëm, që duhet të shënojë aktivitetin e çdo force politike.

Së dyti, ne do të sjellim programe konkrete, për çdo komunitet, programe të cilat do ofrojnë zgjidhje për problematikat lokale. Së treti, bashkëpunimi ynë dhe forcat e tjera opozitare, do të sjellim më 14 maj në çdo derë mesazhin se ata und të ndryshojnë fatin e tyre”, deklaroi Dule.