E PLOTE/ Marrëveshja: PD mbështet kandidatët e PBDNJ-së në 3 bashki

Publikohet teksti i marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zgjedhjet e 14 majit. Sipas këtij teksti, PD do të mbshtesë kandidatët e PBDNJ në tre bashki: Himarë, Dropull dhe Finiq.

MARRËVESHJE PËR ZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT 2023, NDËRMJET PARTISË DEMOKRATIKE DHE PARTISË BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT,

Sot, me datë 25 janar 2023, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:

I.   për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;

II.  të asgjësimit të pluralizmit politik në nivel vendor;

III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;

IV.  të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;

V.   të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.

Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (në vijim PBDNJ), dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

VENDOSIN:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zonat zgjedhore bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq.

Kandidatët përkatës do të konsiderohen kandidatë të koalicionit opozitar dhe do të përfaqësojnë alternativën e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14. 05.2023 në të njëjtën mënyrë, formë dhe mbështetje me kandidatët e tjerë të koalicionit të përzgjedhur nëpërmjet procesit të primareve të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut angazhohet të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe koalicionit të drejtuar prej saj, në të gjitha zonat e tjera zgjedhore, bashkitë e vendit përveç atyre të përmendura në pikën

3. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, në të gjithë territorin e vendit, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

4. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve, gjelbërimit të qyteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.