'Larje hesapesh' në Greqi: Arrestohet shqiptari i rrezikshëm për vrasjen e 'amerikanit'

Greqi, arrestohet në zonën e Akrogiali, i shumëkërkuari Izbi Çaushi, 38-vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë. Çaushi akuzohet se më 20 janar në Kalamata ka vrarë me armë, një shtetas grek të njohur me pseudonimet “amerikani” dhe “Gus”, i përfshirë më parë në çështje droge.

Shqiptari dyshohet se ka qëlluar viktimën në këmbë, duke i shkaktuar 47-vjeçarit këputje të arterieve dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve nuk ka mundur të shpëtojë. Pas sulmit vrasës të së premtes së kaluar (20.01.2023) policia greke EL.AS. sheh pastrim hesapesh, ndërsa 47-vjeçari “Amerikani” ishte i njohur për autoritetet për çështje droge, por edhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale. 

Çaushi u kap në një banesë të marrë me qera në emër të një bullgari, i cili u arrestua. Brenda në banesë janë gjetur lëndë narkotike. Banesa rezulton në pronësi të vjehrrit të një greku 50-vjeçar, i cili u arrestua disa ditë më parë në lidhje me ngjarjen, pasi përkrahu autoret e krimit.

Për vrasjen e grekut “Gus” ndodhet i arrestuar edhe 22-vjecari shqiptar Aleksander Koto, i cili ka gjithashtu shtetësi greke.

Izbi Çaushi rezulton të jetë arrestuar edhe më parë nga policia greke, konkretisht në shkurt 2020 në Nea Smyrni, Athinë, me 1 kg e 950 gram kokainë.

Krimi ka ndodhur mëngjesin e 20 janarit 2023. Dy autorët kanë surprizuar 47-vjeçarin “amerikan” dhe i kanë bllokuar rrugën. Ata e sulmuan dhe filluan ta godasin me tërbim. Menjëherë pas kësaj, njëri prej të dyve ka nxjerrë armën dhe ka nisur të qëllojë.

Drejtuesi i makines – 47-vjeçari “amerikan” – ra në një pellg gjaku. Më pas autorët janë larguar dhe viktima është dërguar me ambulancë në spital. Menjëherë pas kësaj, rreth orës 14:00, 47-vjeçari vdiq nga plagët e marra.

Sipas një raportimi të newsit.gr, 47-vjeçari “amerikan” i përkiste një rrjeti të madh të trafikut të drogës dhe kontaktet e tij bëheshin kryesisht përmes rrjeteve sociale. Rreth 1.5 vjet më parë ai kishte arritur të shpëtonte nga një operacion i madh i kryer nga EL.AS në rajon dhe të shkonte në Amerikë, duke pasur shumë para me vete.

Por pak muaj më parë, 47-vjeçari u kthye nga Amerika dhe u dërgua në prokurori dhe ndaj tij u vendosën kushte të kufizuara. Ai qarkullonte në Kalamatë me një skuter dhe – siç duket gjithçka – disa prej llogarive të tij kishin mbetur të hapura.