Revolta e Bërxullës para zyrës së Ramës: Do mbrojmë pronat me gjak

Banorët e fshatit Bërxullë të Tiranës kanë dalë sërish për të protestuar përpara Kryeministrisë për kompensimin e drejtë të pronave të tyre. Ata nuk pranojnë të kompensohen nga shteti me çmimin qesharak prej 4 mijë lekësh për metër katror, kur dihet se sa vlerë të madhe ka terreni në të cilën qeveria do të ndërtojë rrugën e re Thumanë-Kashar.

Banorët thanë se nuk kanë marrë përgjigje për problemet e tyre dhe pikërisht fakti që nuk u japin përgjigje, dëshmon se ajo që po bëhet me pronat e tyre është e paligjshme.

“Bërxulli nuk ka vdekur. Sikur i vetmi të mbetem unë, nuk do ta ndaloj. Ne nuk kemi të bëjmë me politikën, ne kërkojmë të drejtën tonë.”

“Hymë në muajin e katërt me protesta, për të drejtat tona që shteti na i shkel me vetëdije të plotë për të na diskriminuar. Kjo e keqe ka kohë që i vjen zonës sonë. Ndaj i kërkojmë shtetit tonë të negociojë direkt për çmimin e pronave me banorët dhe ne të jemi të bindur se diçka do të marrin e diçka do të lemë, se kjo do të na çojë në vëllavrasje.

Mua më shkon si fis, 1 ha pronë. Është më e mira për mua që ose t’ ia fal, ose të më bëjë bashkëpronar në segmentin e rrugës dhe të më japë atë që më takon. Jo të më japë mua 4 mijë lekë/metri, që nuk ka bërë vaki në botë të ketë ndonjë çmim si ky. Ndaj i kërkojmë Kryeministrit, ministrave, të mos e zgjasin, mos të na lodhin më, se e kanë kot, ne nuk e lëshojmë këtë punë sikur të vritemi të gjithë. Ne të vrarë jemi, na ka ngelet vetëm ajri. S’ka gjë tjetër, tokat, pronat duan të na i marrin dhe vetëm ajrit s’ka ç’i bëjnë, se e ka lënë të lirë vetë i madhi Zot, ndaj po nuk na dhanë atë që na takon, ne u kemi lënë Zotin t’i shkatërrojë ishallah, mos ia pafshin hajrin kurrë e kurrës, po të bëjnë kthesë sa më shpejt.”

“Në fshatin Bërxullë janë bërë pisllëqe, padrejtësi nga më të ndryshmet, për sa i përket pronave. Dhe ata që thonë se janë dakord me atë projekt, janë përfshirë në vjedhje, abuzime.

“Çdo lloj prone e jona është e legalizuar, e rregullt, nuk është shtetërore, është jona. Nuk është e zaptuar, është e trashëguar”.

“Kërkesat tona janë të qarta, kërkojmë të bisedojmë. Pas incidentit që ndodhi në fshatin tonë, me ata banorë që u ngjitën në shtyllën e tensionit për t’u vetëflijuar, ne vazhdojmë të presim…Pushtetarët po testojnë durimin tonë. Ne nuk do të tërhiqemi, pavarësisht se çfarë do të ndodhë. Do të ketë përshkallëzim të protestës”.

“ “I kërkojmë ministres Balluku të mos rrijë në petkun e ndyrësirës që është mbështjellë, por të dalë e të bisedojë me ne. Të garantojë rrugën dytësore dhe kërkesat e tjera. Ta ketë më se të qartë se ne pronën do ta mbrojmë me gjak, kurrë nuk do ta lëshojmë”.