Kapet në Portin e Durrësit me 7 skulptura pa dokumentacion shqiptari nga Kosova

Një 32 vjeçar nga Kosova ka rënë në prangat e policisë në Portin e Durrësit pasi gjatë kontrollit iu gjetën 7 skulptura të dyshuara si vepra arti.

Shërbimet e Policisë kaluan për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, automjetin tip “Benz” që drejtohej nga shtetasi  V. B.

"Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 7 vepra arti (skulptura) për të cilat 32-vjeçari nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to," njoftoi policia.

Në vijim  të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 32 vjeç, banues në Kosovë, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës" dhe "Kontrabanda me mallra të tjera".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.