'U rrëzua nga makina'/ Si u vra Nuri Basha, ngjarja u fsheh nga autorët

Lavdrim Kaleci, Eduart Torba dhe Ahmet Torba janë arrestuar ditën e sotme nga Policia e Dibrës pas finalizimit të operacionit të koduar “Deepened”.

Tre të arrestuarit plagosën rëndë 60-vjeçarin Nuri Basha, ngjarje kjo e ndodhur në qershor të vitit 2022. Basha më pas humbi jetën në spital.

Por si ndodhi ngjarja?

60-vjeçari u plagos rëndë dhe humbi jetën në spital, por fillimisht u raportua se ishte rrëzuar nga mjeti aksidentalisht dhe ishte plagosur, plagë të cilat i sollën dhe vdekjen më vonë në spital.

Nga hetimet e thelluara, policia zbuloi se 60-vjeçari Nuri Basha nuk u rrëzua aksidentalisht, por u plagos pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.

Policia zbuloi se me datën 26 qershor në lagjen “Kamen” pranë një lokali, 50-vjeçari Osman Torba ka shtyrë shtetasin Nuri Basha, i cili është rrëzuar në tokë duke marrë dëmtime të rënda. Megjithëse ai është dërguar në spitalin rajonal Dibër, me datë 28 qershor, Nuri Basha ka ndërruar jetë.

"Nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi  E. T., në bashkëpunim me shtetasit Ahmet Torba,  Lavdrim Kaleci dhe Oosman Torba (i arrestuar më parë), kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin N. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes.  Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, e cila ka caktuar për secilin nga këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim," thuhet në njoftimin zyrtar.