Maqedonia e Veriut mes krizës politike dhe ndryshimeve kushtetuese. Çfarë rrezikojnë shqiptarët?

Të ftuar në 'Edicionin e Pasdites' me Armela Ferkon në Syri.TV për të diskutuar për situatën politike në Maqedoninë e Veriut ishin analisti, Visar Ademi dhe Elmi Aziri deputet i partisë ‘Aleanca per Shqiptaret’.

Ndryshimet kushtetuese, të kërkuara mbi bazën e 'Planit Francez', që ka të bëjë me rrugën e integrimit në Bashkimin Europian të vendit, ka shfaqur në horizont një krizë tjetër politike në vendin fqinj

Elmi Aziri, deputet i partisë ‘Aleanca per Shqiptaret’ është shprehur se jemi në rrugën e duhur që të arrijmë një marrëveshje mbi bazën e 'Planit Francez' që ka të bëjë me rrugën e integrimit në Bashkimin Europina të vendit.

"Maqedonia është një vend ku ballafaqohet me kriza, në çdo situatë kur kemi nevojë për iniciativa për ndryshime kushtetuese ose kompromise të ndryshme këto kriza dalin në sipërfaqe dhe manifestohen në mënyra të ndryshme.

Populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut jo vetëm tani po në të gjitha proceset në një farë forma ka qenë një garantuese e këtij rrugëtimi dhe ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm në rrugëtimin Euro-Atlantike, kjo u pa edhe në anëtarësimin në NATO.

Faktori politik shqiptar në këto ditë është më dinamik sa i takon tematikave që trajtohen për arsye të diskutimeve që po i zhvillon Aleanca për Shqiptarët në këtë periudhë me kryeministrin dhe kryetarin e BDI Ali Ahmetin. Tentativat janë që të arrihet stabilitet më i fuqishëm i këtij procesi i kësaj faze historike në mënyrë që rreziqet eventuale të ndalohen. Sa i takon përfitimeve të shqiptarëve nga ky proces nuk duhet që të qasemi me logjikën kushtetuese por logjika duhet të jetë pragmatiste. Ne kemi një premtim që na është bërë nga palët politike në Maqedoninë e Veriut se në hapjen e kushtetutës të na plotësohet kërkesa që shqiptarët të mos definohen me përqindje por të definohen realisht me emërtimin real që ka në gjuhë shqipe. Të gjitha palët politike kanë shprehur gatishmëri që ta ndryshojnë këtë përkufizim ofendues për shqiptarët."

Analisti, Visar Ademi është shprehur se faktori shqiptar është i fragmentarizuar, dhe se duhet që njëherë të vetme të kenë qëllim jo pushtetin, por interesin për popullsinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimin e Kushtëtutës e kundërshton partia opozitare, VMRO-DPME e cila njihet për qëndrimet anti etnike të popujve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

"Ndryshimet kushtetuese po i kundërshton janë e djathta maqedonase, VRMO-DPME partia opozitare më e madhe në vend e njohur edhe për qëndrimet e saj më të forta kundër etnive që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por edhe një parti e vogël që ka lidhje me Rusinë dhe Serbinë ku ka dhe informacione që janë pro financimit të trazirave në vend.

Të gjithë partitë e tjetra janë pro përfshirjes së bullgarëve që të futen në kushtetutë dhe përfundimisht ti hapet rrugë anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Faktori Shqiptar nëse i cenohet pushteti reagojnë se kur i cenohet kombi nuk e vrasin mendjen, janë krijuar me dhjetra parti me qëllimin që të ndihmojnë pozicionin e shqiptarëve por asnjëra nuk e ka arritur këtë qëllim por kanë devijuar rrugës. Partitë politike shqiptare janë të uritur për pushtet, edhe nga fakti që kërkohet energji dhe resurse që të rrinë në opozitë. Sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut e garanton NATO dhe rreziku për trazira nuk ndodh më."

'Syri.Net-Eraldo Stafuka'