SYRI TV/ Plagoset me thikë një 41-vjeçar në ish-Bllok, Policia prej 4 ditësh fsheh ngjarjen
Një plagosje e rëndë është regjistruar 4 ditë më parë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia e Shtetit. 41-vjeçari Eder Dorzi është qëlluar 27 herë me thikë teksa ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje kritike për jetën. Dy autorët e dyshuar të ngjarjes, Maren Hoxha dhe Heridon Hasa janë shpallur në kërkim.
Nga SYRI TV
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e shtunës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku një 41-vjeçar është plagosur me thikë dhe ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia e Shtetit.
Eder Dorzi është qëlluar 27 herë më thikë nga dy persona me të cilët ndodhej në tavolinë, shtetasit Maren Hoxha e Heridon Hasa.
Sipas gazetares së Syri TV, Bleona Sari, dyshohet se autorët e ngjarjes kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike e shkaku dyshohet se ka qenë një konflikt i çastit mes 3 të rinjve.
Sherri ka nisur fillimisht me fjalë dhe më pas ka degraduar deri në momentin që autorët kanë nxjerrë thikat dhe kanë goditur me thikë 41-vjeçarin, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje kritike.
Sipas familjarëve, 41-vjeçari rrezikon të paralizohet për shkak të plagëve që ka marrë.
Policia e Shtetit katër ditë pas kësaj ngjarjeje ka reaguar, duke konfirmuar se për shkak të hetimeve ngjarjen nuk e ka bërë publike për medien.
Dy autorët e dyshuar, Maren Hoxha e Heridon Hasa janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Eder Dorzi nuk rezulton një emër i panjohur për autoritetet ligjzbatuese. Më herët rezulton të jetë arrestuar si i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe pjesëmarrje në grup kriminal.