SYRI TV/ Tregtonte ilaçe kontrabandë, arrestohet mjeku, sekuestrohen 30 mijë euro barna

Është vënë në pranga një mjek, i cili tregtonte ilaçe kontrabandë në klinikën e tij private. Sipas policisë së kryeqytetit, 59-vjeçari Kosta Dhima tregtonte ilaçe të cilat nuk kanë përfaqësitë e tyre në Shqipëri. Vlera e ilaçeve të kontrabanduara kap shifrën e rreth 30 mijë eurove. Policia ka referuar në gjykatë edhe bashkëshortën e mjekut e cila do të procedohet në gjendje të lirë.

Nga SYRI TV

Një sasi ilaçesh është kapur në një magazinë e cila ishte kthyer në depo për medikamente kontrabandë. Policia e Tiranës ka arrestuar një mjek, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë bashkëshorten e tij.

Në pranga ka rënë mjeku 59-vjeçar Kosta Dhima, ndërsa kanë nisur procedura për ndjekjen penale të bashkëshortes, 56-vjeçares M. Dhima. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim edhe një person të tretë që sipas uniformave blu ishte furnitori me ilaçe, të cilat nuk kalonin në filtrin e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave.

Sipas grupit hetimor në depon që ndodhej në rrugën “Mihal Duri” në kryeqytet u sekuestrua një sasi e konsiderueshme e barnave, vlera e të cilave arrinte në 30 mijë euro.

Nga deklarimet e bëra nga policia  shtetit rezulton se mjeku Kosta Dhima kishte një klinikë private, të cilën e shfrytëzonte për të tregtuar ilaçet që vinin kryesisht nga kompani që nuk kanë përfaqësitë e tyre në Shqipëri.