Zbulohet një 'shtëpi bari' dhe një arsenal armësh, arrestohet 46-vjeçari, shpallet në kërkim vëllai

Policia e Shtetit finalizoi me sukses një operacion në zonën e Durrësit në fund të të cilit u zbulua një shtëpi bari si dhe një arsenal i madh armësh, të fshehura në banesën e dy vëllezërve.

Në kuadër të operacionit “Krahët e krimit”, efektivët e policisë ushtruan kontroll në një banesë 4-katëshe në Sallmone, ku u zbulua se në dy katet e sipërme të saj kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave.

Pas verifikimeve, në banesë u gjetën 444 rrënjë kanabis, si dhe u sekuestruan të gjitha pajisjet që përdoreshin për kultivimin e tyre.

Po ashtu, policia zbuloi një dhomë të fshehur në banesën e dy vëllezërve F.K dhe S.K., brenda së cilës u gjetën 10 automatikë kallashnikov, 1 pushkë, dylbi, antiplumb dhe municione. Sipas hetimeve, këto armë mendohet se i përkisnin një grupi kriminal.

Gjatë operacionit, efektivët arrestuan në kushtet e flagrancës 46-vjeçarin F.K.., ndërkohë që është shpallur në kërkim vëllai i tij, me precedentë të mëparshëm penalë.