Konfindustria: PPP-të duhet të kalojnë në menaxhim publik, janë kthyer në barrë për shtetin!

Konfindustria mbështet fuqishmit, kalimin e koncesioneve dhe PPP-ve si të inceneratorëve, të skanimit, të Check-up etj në menaxhimin publik, pasi lënia e tyre në duar e privatëve ka qënë me efektivitet të ulët dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve.

Në një deklaratë që merr shkas, nga marrja në zotërim nga shteti tashmë, të koncesionit privat të prodhimit të pasaportave,  Presidenti i Konfindustrisë, z. Gjergj Buxhuku, shprehet:

“Konfindustria  mbështet vendimin e Ministrisë së Brendshme për dhënien fund të konçesionit privat të prodhimit të dokumenteve të identifikimit dhe të kalimit të shërbimit në menaxhim publik.

Koncesioni i prodhimit të ID dhe pasaportave është dhënë 15 vite më parë.  Kompania private zotëruese e koncesionit ka përfituar në formën e fitimit gjatë kësaj periudhe në mbi 500 milionë dollarë, përfshi edhe kompanitë mëmë. Për vitin financiar 2021 kompania koncesionare kishte normën më të lartë të fitimit në shkallë vendi mbi 40%.

Në vitin 2013 pa asnjë garë afati i koncesionit u shty për një periudhë 10 vjeçare duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 250-300 milionë dollarë humbje. Koncesioni në fjalë është dhënë si pjesë e procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Konfindustria vlerëson, se një veprim i ngjashëm për të kaluar në menaxhim publik do të duhet te shtrihet edhe në koncesione dhe PPP të tjera shërbimesh si i djegësave, skanimit, aeroporteve, check-up, ngjyrosjes dhe metrologjisë së karburanteve, pullave fiskale, të shëndetësisë, etj.

Politika e dhënies me koncesion dhe sidomos PPP/ Partneritet Publik Privat të burimeve natyrore dhe sidomos të shërbimeve publike kanë qenë me efektivitet të ulët dhe në kundërshtim me interesin publik. Si të tilla janë shndërruar në barrë të rëndë për buxhetin e shtetit dhe borxhin publik, që e ka tejkaluar ndjeshëm 100% të PPB. “