Stoltenberg i bën thirrje Turqisë të mos bllokojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kritikoi të hënën qëndrimin e presidentit turk, i cili kërcënon të bllokojë anëtarësimin e Suedisë në NATO pasi një ekstremist dogji një kopje të Kuranit të shtunën në Stokholm.

Në një intervistë në televizionin gjerman Die Welt, transkriptuar në një deklaratë për shtyp në gjermanisht nga stacioni, norvegjezi Jens Stoltenberg dënoi qëndrimin e Rexhep Tajip Erdogan ndaj Suedisë.

“Liria e shprehjes, liria e mendimit është një mall i çmuar, në Suedi dhe në të gjitha vendet e tjera të NATO-s dhe kjo është arsyeja pse këto sjellje të papërshtatshme nuk janë automatikisht të paligjshme”, tha ai.

Ekstremisti suedez-danez i krahut të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit të shtunën pasdite në një akt që synonte të denonconte negociatat suedeze me Ankaranë për NATO-n.

“Qeveria suedeze e ka dënuar (këtë demonstratë) në terma shumë të qartë”, kujtoi z. Stoltenberg në intervistën e tij për die Ëelt.

Të hënën ka reaguar ashpër presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka deklaruar se Suedia, kandidate për anëtarësim në NATO, nuk mund të mbajë shpresa më në “mbështetjen” e Ankarasë pas kësaj djegieje.

Stoltenberg pretendoi se ishte "absolutisht kundër këtij lloji fyerjesh ndaj njerëzve të tjerë" dhe "ishte absolutisht kundër kësaj sjelljeje që u pa në rrugët e Stokholmit".

Turqia ka bllokuar hyrjen e Suedisë dhe të  Finlandës në NATO që nga maji, duke i akuzuar ato se strehojnë militantë dhe simpatizues kurdë të cilët i quan "terroristë", veçanërisht ata të PKK-së dhe aleatëve të saj në Sirinë veriore dhe Irak.

Për Ankaranë, çdo përparim i mundshëm varet nga vendimet e Suedisë për të dëbuar njerëz të akuzuar për terrorizëm prej Turqisë ose për pjesëmarrjen në përpjekjen për grusht shteti të vitit 2016 kundër Erdogan.

Z. Stoltenberg, pavarësisht këtij konteksti, mendoi se Turqia deri më tani ka qenë mjaft bashkëpunuese në debatin për anëtarësimin në NATO.

Ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit tani nuk duhet të dështojë në pengesat e fundit.

"Unë jam në kontakt të ngushtë me Finlandën dhe Suedinë, dhe natyrisht edhe me aleatin tonë Turqinë," shtoi ai.

Sipas tij, 28 nga 30 vendet e NATO-s kanë dhënë tashmë pëlqimin e tyre në parlamentet e tyre kombëtare.

 

"Dhe sigurisht u kërkoj gjithashtu aleatëve të mbetur - Hungarisë dhe Turqisë - të përshpejtojnë këto procedura në parlamentet e tyre," përfundoi ai.