‘Pakoja e Madhe’ e ndihmës - lëmoshë, u fokusua te pensionistët, po dhe tek administrata
Eksperti i Ekonomisë, Enriko Ceko, e ka cilësuar lëmoshë të qeverisë për kategoritë në nevojë ‘Pakon e Madhe’ të ndihmës.
Në një intervistë për ‘Panorama TV’, ai u shpreh se kjo ndihmë ishte e pamjaftueshme për të mbuluar rritjen e kostove të jetesës për qytetarët. Sipas tij, ‘Pakoja e Madhe’ nuk mbulonte shtresat më në nevojë të shoqërisë. Ceko tha se mënyra më e mirë që qeveria të ndihmonte qytetarët, është t’u japë mundësinë atyre të ingranohen në jetën ekonomike për të investuar.
“Pjesa e paketës së fundit, që ishte për të kaluar festën e vitit të ri, por edhe ndihmë për familjet, u fokusua te pensionistët, tek ato që janë shtresa që nuk e kanë marrë veten. Por u fokusua edhe tek punonjësit e administratës. Edhe pse e kanë pagesën mesatarisht 450 euro, ata u përfshinë në paketa. Ne kemi shumë persona që janë të papunë, por vetëm një pjesë e vogël marrin pagesë papunësie”, tha Ceko.
Eksperti i Ekonomisë, Enriko Ceko, tha se Shqipëria nuk ka përmbushur dy standardet kyçe të Bashkimit Europian nga ana ekonomike, që sipas tij janë që borxhi publik të mos jetë më shumë se 60 % dhe deficiti buxhetor të mos jetë më shumë se 3 %. “Borxhi është 10 miliardë dollarë. 40 % është borxhi i jashtëm, por është edhe borxhi i brendshëm me bonot e thesarit.
Bankat i japin qeverisë bono thesari dhe kanë vështirësuar kredidhënien për shqiptarët. Kërkohet një mënyrë tjetër e bërjes së gjërave. Unë do të thosha që vetëm nga akciza e karburantit qeveria merr deri në 18 milionë euro. Që kur ka nisur lufta, është kjo shuma prej 500 milionë euro, pra rreth 55-56 milionë euro në muaj. Pra, lind pyetja se cili është roli i bordit të transparencës te ky 56 milionë euro. Ne mund të flasim për buxhetin e shtetit të Shqipërisë që është rreth 5 miliardë euro. Përveçse kemi një borxh të madh publik dhe një deficit buxhetor, që me rregullat e BE-së borxhi publik nuk duhet të jetë më shumë se 60 % dhe deficiti buxhetor duhet të jetë më i ulët se 3 %. Ai të ka vënë kusht me traktatin e Mastrihtit, që ti nuk hyn dot në Europë pa këto dy kushte.