SYRI TV/ Lame për abuzimet me pronat shtetërore: Presidenca nuk ka regjistruar asnjë pronë

Mijëra metra katrorë të pronave publike nuk janë të regjistruara në kadastër. Për këtë situatë ka folur kreu i këtij institucioni, Artan Lame i cili i ka bërë thirrjeve institucioneve shtetërore të regjistrojnë objektin dhe trojet pasi edhe atyre mund t’u dalë pronari! Lame ka thënë se mbi trojet publike ka pasur abuzime të shumta.

Nga SYRI TV

Kreu i agjencisë shtetërore të kadastrës, Artan Lame, i bën thirrje institucioneve shtetërore të regjistrojnë pronat e tyre. Lame solli rastin e presidencës, që nuk ka të regjistruar asnjë pronë, ndërkohë që solli në vëmendje edhe oborrin e burgut të Shënkollit në Lezhë, që i ka dalë pronari.

Lame  foli këtë të hënë  për pronat shtetërore, ku bëri me dije se 260 mijë prej tyre janë të paregjistruara, gjë e cila ka sjellë abuzime te shumta.  Lame ka folur edhe për  rastin e godinës së presidencës, ku më herët ka pasur dyshime se do të ndërtohen kulla, ndërsa  ky institucion nuk ka të regjistruar asnjë pronë të vetën.

Kreu i kadastrës ka sjellë në vëmendje edhe truallin mbi të cilin është ndërtuar burgu i Shënkollit në Lezhë, për të cilin tha se oborri i tij i është dhënë një personi tjetër pasi doli si pronar.

Të mërkurën do të kalojë në qeveri  një vendim i Këshillit të Ministrave për përditësimin e pronave publike, që do të saktësojë identifikimin e këtyre pronave.