SYRI TV/ Berisha: Fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve është Rama, përmbyti Shkodrën

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi mazhorancën socialiste se i la qytetarët në harresë gjatë përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet. Nga selia blu Berisha u shpreh se  fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve janë Edi Rama dhe qeveria e tij, ndërsa shtoi se shkak i kësaj situate të krijuar nga përmbytjet janë mosveprimet e qeverisë.

Berisha tha: Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me të gjitha zonat e dëmtuara, me banorët e Shkodrës, që u përmbytën nga digat, duhet të kesh logjikën e harbutit, të hapësh portat e tre liqeneve të kaskadës dhe të deklarosh se Shkodra dhe Nënshkodra nuk u përmbytën nga kaskada. Vetëm e vetëm se duhet të dëmshpërblesh për çdo metër katror të përmbytur nga diga.

Katastrofë ishin përmbytjet në Lezhë dhe vetëm pasi ikën ujëra, u bë i gjallë Pjerini. Shkoni e shihni inaugurimet e dy viteve më parë në Kune, se si i mori shiu i parë.

Në Rehovë, një zonjë shtëpie, bashkëshorte, nënë, motër, 50 vjeçare, humbi jetën në përroin e Tomorricës për shkak të urës së rrënuar. Për këtë qeveri, shqiptarët nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë për vjedhjen e taksave të tyre. Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe, qëndrimin e papërgjegjshëm ndaj kësaj situate dhe theksoj se fatkeqësia më e madhe nuk ishte ajo natyrore, por qëndrimi i qeverisë së Edi Ramës ndaj kësaj fatkeqësie."