SYRI TV/ Miku i Amant Josifit drejt ekstradimit, Berlando Saraçaj do të niset drejt Spanjës
Bashkëpunëtori i të kërkuarit Amant Josifi, Berlando Saraçaj, do të ekstradohet drejt Spanjës, ku do të gjykohet për akuzën e vjedhjes së 2.2 miliardë eurove të qytetarëve spanjollë, përmes mashtrimit me Call-Centera. Ndërkohë, ortaku i Olsi Ramës, Amant Josifi, i konsideruar si një prej personave kyç të organizatës kriminale ndërkombëtare, vijon të jetë ende në arrati.
Nga SYRI TV
Interpol Tirana po kryen procedurat e fundit, para ekstradimit të Berlando Saraçajt drejt Spanjës, i akuzuar si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga Amant Josifi, që kanë mashtruar mijëra qytetarë europianë për një shumë prej 2.2 miliardë eurosh.
Gjykata e Tiranës ka miratuar ekstradimin e Saraçajt në fund të dhjetorit 2022. Vendimi mori formë të prerë pak ditë më parë, pasi i dyshuari nuk e ankimoi vendimin. Tashmë, kanë mbetur vetëm procedurat e fundit administrative, para se ai të hipë në avion drejt Katalonjës.
Ndërkohë, Amant Josifi i konsideruar si një prej personave kyç të organizatës kriminale ndërkombëtare, vijon të jetë ende në arrati. Josifi, një ortak i hershëm i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, i shpëtoi një operacioni shqiptaro-spanjoll, të zhvilluar në mes të nëntorit të vitit të kaluar në Tiranë.
“Syri Televizion” ka mësuar më herët se operacioni për arrestimin e Josifit është dekonspiruar. Ambientet ku ai ushtronte aktivitetin privat ishin boshatisur me shpejtësi pak orë para se aty të mbërrinin oficerët e policisë.
Amant Josifi, Berlando Saraçaj dhe disa shqiptarë të tjerë, dyshohen nga autoritetet spanjolle se kanë përdorur kompani Call-Center të lidhura mes tyre, për të mashtruar një numër të konsiderueshëm qytetarësh europianë.
Sipas hetimeve spanjolle, operatorët e organizatës kriminale kontaktonin me viktimat e mashtrimit dhe u premtonin fitime të shpejta, nëpërmjet investimeve në kripto-monedha.
Organizata kriminale i transferonte paratë e fituara nëpërmjet mashtrimit në parajsa fiskale, me qëllim pastrimit dhe riciklimin e tyre në aktivitete të tjera biznesi. Prokurorët spanjollë kanë identifikuar se organizata kishte krijuar të paktën 20 platforma elektronike mashtruese në Shqipëri, të cilat menaxhoheshin nga Amant Josifi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.