SYRI TV/ Vasili, 25 pyetje publike qeverisë: Pse po mbahet e fshehtë marrëveshja e detit me Greqinë?

Partia e Lirisë i drejtoi 25 pyetje publike Edi Ramës për çështjen e detit me Greqinë, teksa e akuzon atë  për mungesë transparence dhe pazare me interesin publik. Nënkryetari Petrit Vasili tha se Rama  duhet të mbajë përgjegjësi personale për dërgimin e çështjes në Hagë, ndërsa theksoi se  qeveria po bën puç kushtetues.

Nga SYRI TV

Partia e Lirisë akuzoi kryeministrin Rama për mungesë transparence lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë.

Në një dalje për mediet, nënkryetari Petrit Vasili tha se interesi publik po përdoret për pazare të Edi Ramës, teksa i drejtoi atij 25 pyetje publike, të cilat, nxjerrin në pah, deklaratat e pavërteta dhe qëndrimet e kryeministrit lidhur me këtë çështje.

Vasili e pyeti kreun e qeverisë se cili është grupi negociator që po punon për marrëveshjen me të cilën do të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas tij, Rama po e vendos Shqipërinë në dizavantazh, në humbjeje të paralajmëruar përballë Greqisë.

Vasili u shpreh se Rama duhet të mbajë përgjegjësi personale për dërgimin e çështjes në Hagë,  duke theksuar se drejtësia ka folur për kufijtë që në 1926-ën.

Në pyetjet publike të Partisë së Lirisë, fokusi vendoset edhe tek fakti që  janë kapërcyer të gjitha instancat kushtetuese në marrëveshjen  me shtetin grek. Po ashtu Vasili ngriti pyetjen se a ka pasur pala greke gjatë negociatave, temë të diskutimit, zgjerimin e ujërave territoriale greke nga 6 në 12 milje dhe nëse po, cili ka qenë reagimi i grupit negociator i mbajtur gjatë zhvillimit të negociatave.