Thirrja e Lames: Të regjistrohet presidenca se do i dalë pronari/ Iriqi ‘paralajmëroi’ se do ndërtohen kulla

Kreu i Kadastrës Shtetërore, Artan Lame, i ka bërë thirrje presidentit Bajram Begaj që të regjistrojë godinën e presidencës si pronë shtetërore.

Ai deklaroi se sot për sot presidenca nuk ka të regjistruar asnjë pronë të veten, ndërsa shtoi se presidenti i mëparshëm e ka refuzuar të dekretojë ligjin.

“Presidenca nuk ka të regjistruar asnjë pronë të veten. Ligji 20/20 nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës në atë kohë. Unë kam kërkuar të miratohet sepse do i hapë rrugë regjistrimit të pronës shtetërore. Presidenca rezulton edhe sot pa regjistruar. Presidenti i asaj kohe bëri një dalje duke thënë se ishin vjedhur pronat e presidencës, por ajo vjedhje është bërë sepse presidenca nuk ishte regjistruar. I bëj thirrje presidencës të aplikojë në e-Albania për të regjistruar pronën e tyre”, u shpreh Lame. “Sjell shembullin e burgut të Shënkollit në Lezhë, ku i ka dalë pronari oborrit të burgut. Godina ka mbetur në shtet dhe oborrit i ka dalë pronari”, tha ndër të tjera Lame.

Para pak ditësh, rubrika satirike e Iriqit në SYRI.net, paralajmëroi se në presidencë do të bëhet një kullë. Iriqi ‘bisedoi’ me presidentin Begaj për vizitën e Ramës në fillim të vitit.

Iriqi:- Po ç’folët atë ditë?

Begaj:- Jo ç’folët, se unë veç dëgjova. Ai foli e më porositi:

-Të firmos që tani paradhënie gjithë ligjet që do miratojë kuvendi gjatë vitit 2023.

-Të mos kthej asnjë ligj.

-Të bëj kërkesë për shkatërrimin e presidencës.

Iriqi:- Pse?

Begaj:- Do bëjmë një kullë të bukur këtu, më tha. E ka prekur tërmeti si strukturë, më pyeti Rama. E ka bërë të rrezikshme, i thashë. Kemi frikë të punojmë, po si ushtarak që jam e kam gëlltitur tmerrin, u mburra.

Iriqi:- Është dëmtuar vërtetë?

Begaj:- Jo, jo, po mua më ndalohet t’i them jo atij. Ndaj mori në telefon ata të institutit të projektimit e i urdhëroi të bëjnë një raport shembjeje. Pastaj i tha Dallëndyshes, dërgoji fadromat këtej nga presidenca. Ja, kaq, për këtë erdhi.