Rusia dëbon ambasadorin e Estonisë në valën e shkatërrimit të marrëdhënieve
Moskë - Rusia e ka dëbuar ambasadorin e Estonisë dhe misioni diplomatik i vendit do të drejtohet nga një I Ngarkuar me Punë, tha të hënën Ministria e Jashtme e Rusisë.
Ambasadori i Estonisë, Margus Laidre, u urdhërua të largohej nga vendi deri më 7 shkurt, tha ministria.
Në deklaratë thuhet se përfaqësia diplomatike e Estonisë tani e tutje do të ketë vetëm një të ngarkuar me punë që drejton misionin e këtij shteti të Bashkimit Evropian në Moskë.
Ministria tha se masa ishte bërë si hakmarrje për "hapin e ri jomiqësor të Estonisë për të zvogëluar rrënjësisht madhësinë e ambasadës ruse në Talin".
Ministria e Jashtme e Estonisë në fillim të këtij muaji urdhëroi Rusinë të zvogëlojë numrin e stafit të ambasadës së saj në tetë diplomatë dhe në 15 anëtarë të stafit administrativ, teknikë dhe të shërbimit, në mënyrë që të "arritet barazia në personelin e ambasadës" deri më 1 shkurt.
Estonia i ka reduktuar marrëdhëniet e saj dypalëshe me Moskën "në minimumin absolut" që kur Kremlini dërgoi trupa në Ukrainë, tha në një deklaratë më 11 janar ministri i jashtëm estonez Urmas Reinsalu. "Tani ne po vendosim një kufi për numrin e diplomatëve rusë që punojnë në Estoni për të arritur barazi. Hapi i sotëm është në korrelacion me pikën e ulët të marrëdhënieve tona në përgjithësi”, tha ai.