Krerët e Francës dhe Gjermanisë takohen në Paris mes marrëdhënieve të tensionuara prej luftës në Ukrainë
Krerët e Gjermanisë dhe Francës u takuan në Paris të dielën për të kremtuar miqësinë e tyre prej dekadash, pavarësisht tensioneve në marrëdhëniet për luftën në Ukrainë.
60-vjetori i Traktatit të Elysee vjen pasi Kievi u ka bërë thirrje aleatëve të tij për armë më të fuqishme, si tanke, për të luftuar forcat ruse.
Berlini deri më tani i ka rezistuar kërkesës së Ukrainës për tanke “Leopard 2” me raporte që pretendojnë se do t'i dërgojë ato vetëm nëse Uashingtoni bën të njëjtën gjë.
Por Gjermania ka thënë se nuk do të "kundërshtojë" gatishmërinë e Polonisë për të dorëzuar tanke Leopard në Ukrainë, nëse Varshava kërkon leje.
“Nëse do të pyeteshim, nuk do ta kundërshtonim”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të dielën gjatë një interviste në Paris në kanalin televiziv francez LCI.
Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki ka thënë se nëse Gjermania nuk do të pranonte transferimin e tankeve Leopard në Ukrainë, Polonia ishte e përgatitur të ndërtonte një "koalicion më të vogël" të vendeve që do të vazhdonin dhe do të dërgonin automjetet.
Franca tashmë ka pranuar të dërgojë tanke të lehta në Ukrainë dhe ka thënë se së shpejti mund të dërgojë tanke të rënda Leclerc.