Kaliforni, gjendet i vdekur autori i masakrës në studion e kërcimit, 10 të vrarë, 10 të plagosur
Policia e Kalifornisë ka identifikuar personin e armatosur të dyshuar për vrasjen e 10 personave në një studio vallëzimi pranë Los Anxhelosit si Huu Can Tran, 72 vjeç, i cili më vonë u gjet i vdekur në një furgon të bardhë.
Ai kishte një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri dhe u deklarua i vdekur në vendngjarje, tha sherifi i kontesë LA Robert Luna.
Ngjarja ndodhi gjatë festimeve për Vitin e Ri Hënor që po zhvilloheshin në Monterey Park, i njohur për popullsinë e tij të madhe aziatike. Policia nuk e di ende motivin.
Dhjetë persona u plagosën në të shtënat, dhe shtatë janë ende në spital, disa në gjendje të rëndë, tha sherifi në një konferencë shtypi të dielën pasdite në Monterey Park.
Ai shtoi se 10 personat që vdiqën ende po identifikoheshin, por ata "duket se janë ndoshta në të 50-at, të 60-at dhe disa ndoshta edhe më shumë".
Më herët, zyrtarët thanë se pesë gra dhe pesë burra ishin vrarë, të gjithë "ndoshta" me origjinë aziatike.
Të shtënat masive, një nga më vdekjeprurëset në historinë e Kalifornisë, filluan rreth orës 22:22 me kohën lokale të shtunën (06:22 GMT të dielën) në studion e njohur të kërcimit Star Ballroom në Monterey Park, rreth shtatë milje (11 km) në lindje të qendrës së Los Angeles.
Shefi i policisë Scott Ëiese tha se ajo që gjetën oficerët e tij ishte një "skenë kasaphane" dhe se oficerët e parë që arritën atje ishin disa nga më të rinjtë e skuadrës së tij, që sapo kishin përfunduar stërvitjen e tyre disa muaj më parë.
"Ata hasën në një vendngjarje për të cilën asnjëri prej tyre nuk ishte përgatitur," tha ai. "Kishte të plagosur brenda dhe të vdekur brenda. Oficerët e mi të rinj e bënë punën e tyre."
Rreth 30 minuta më vonë, personi i armatosur mbërriti në një studio tjetër vallëzimi në qytetin e afërt të Alhambra.
Ai hyri në studio, por dy persona arritën t'ia hiqnin armën - një pistoletë sulmi gjysmë automatike me një karikator të zgjatur - dhe ai u arratis.
Sherifi Luna tha se ai besonte se arma ishte e paligjshme në Kaliforni, megjithëse shtoi se duhej ta hetonte më tej këtë.
Ai lavdëroi "dy anëtarë të komunitetit, të cilët unë i konsideroj si heronj. Ata shpëtuan jetë, kjo mund të kishte qenë shumë më keq," tha sherifi, duke shtuar se ai beson se Tran kishte për qëllim të vriste më shumë njerëz.
Për orë të tëra të dielën, autoritetet kontrolluan zonën e Los Anxhelosit në kërkim të personit të armatosur.