PS kallëzim në SPAK për 21 Janarin, avokati Gjokutaj rrëzon provën e gazetarit
Taulant Balla deklaroi sot se Partia Socialiste do të dorëzojë në SPAK një kallëzim të ri për 21 Janarin. Balla u shpreh se do të kërkojë nga SPAK vlerësimin për materialin e publikuar nga gazetari Artan Hoxha, si një provë e re për atë ngjarje. PS kërkon të rikthejë në vëmendje 21 Janarin, i cili është hetuar edhe 12 vite më parë, kur Prokuroria drejtohej nga Ina Rama, sot një nga njerëzit që I është besuar Drejtësia e Re.
Nga SYRI TV
12 pas protestës së 21 Janarit, ku mbetën viktimë 4 protestues, e në prag të fushatës për zgjedhjet lokale, Partia Socialiste ripërsërit retorikën për hetimin e kësaj ngjarje. Sot Taulant Balla deklaroi nga selia rozë, se do ti drejtohen SPAK me një kallëzim të ri, gjithçka e bazuar mbi materialin e publikuar nga gazetari Artan Hoxha.
‘Ai regjistrimi për ne përfaqëson një provë. Vlerësimin se është provë apo jo e bën SPAK. Në vlerësimin tonë është për t’i dhënë zë kërkesës se se di sa herë mund të jem gjendur duke kërkuar që t’i shkojë kërkesa publike SPAK që të marrë dosjen nga Prokuroria e Tiranës. Po edhe ne nga mediat jemi njohur. Mendoj që është një provë autentike’, u shpreh Balla sot.
Në deklarimet e tij për mediat gazetari Artan Hoxha la të nënkuptohet se materiali I ka ardhur nga të huajt, e sipas tij kjo u bë për bërë mbivendosjen e zërit me Figurën.
‘Ata e kanë regjistruar këtë gjë dhe është mbajtur si provë. Më është vënë në dispozicion për të akorduar ngjarjet. Më është kërkuar të bëj mbivendosje, për të lidhur zërin me figurën’, deklaroi një ditë më parë, gazetari Artan Hoxha.
Por për Avokatin Genc Gjokutaj, ky material nuk përbën provë, pasi për tu cilësuar provë, duhet të ekzistojë materiali original dhe mjeti që e realizoj.
‘Ne kemi pjesën të zbardhur. Ajo që mund të konsiderohet provë është mjeti teknik me të cilin është realizuar ky përgjim, e nëse nuk e kemi këtë, ajo duhet të ekzistojë me materialin bruto. Atëherë nëse nuk ka një të tillë, ajo është nul’, u shpreh Gjokutaj.
Në konferencën e tij, Balla u ndal edhe tek vrasja e Aleks Nikës, e cila është ende e pazbardhur, që sipas tij duhet hetuar nga SPAK.
‘Mendoj që nëse hetohet dosja e Aleks Nikës do të ketë dhe plot prova të tjera e do të kemi dokument të plotë kallëzimi shoqëruar me elementët e provës për të çuar para hetimin e dosjes penale’, tha Taulant Balla.
Por avokati Genc Gjokutaj, i cili ka marrë dijeni të plotë mbi dosjen për shkak të pozicionit si avokat, shprehet se prokuroria e ka hetuar këtë dhe fakt është se arma që i ka marrë jetën të ndjerit Aleks Nika nuk i përket Gardës së Republikës, duke ngritur dyshime mbi autorësinë e kësaj vrasje.
‘Sipas ekspertizës që i është bërë të ndjerit Nika në Turqi, është një predhë që është qitur nga një armë që nuk është në inventarin e Gardës së Republikës, dhe kjo është ekspertuar në mënyrë shteruese’, thekson avokati Genc Gjokutaj.
Më tej avokati Gjokutaj shprehet se hetimet në atë kohë hetimet u kryen nga Prokuroria e drejtuar nga Ina Rama, e cila sot është një nga figurat më të rëndësishme të Drejtësisë së Re.
‘Për ironi të fatit, prokuroria e atëhershme, sepse këtu zbulohet dhe dekriptohet histori edhe puna e përgjimit që doli pas 12 vjetësh, Prokuroria e Përgjithshme në atë kohë, nën drejtimin e zonjës Ina Rama ka hetuar me një pasion dhe jo objektivisht, për të vënë para përgjegjësisë edhe kryeministrin e Shqipërisë’, shtoi ndër të tjera, avokati Gjokutaj.
I pyetur nga gazetarët, se Agron Malajn, një prej anëtarëve të Grupit të Zjarrit PS e bëri pjesë të sajën dhe kryetar Bashkie, Balla u mundua ta justifikojë…
‘E vërteta është se gardisti Agron Malaj nuk ka nxjerrë asnjë fishek. Si kryetar bashkie e vlerëson një popull i tërë i Matit’, deklaroi Balla.
Por duket se ngjarjet e 21 janarit sillen në vëmendje të opinionit publik çdo prag fushate elektorale e me akuza të njëjta. Kjo nuk ka ndodhur në vitet kur nuk ka zgjedhje, siç në vitin e shkuar kur Edi Rama dhe Partia Socialiste e kaluan pa akuza e kërkesa hetimore.
E tani 12 vite përsëritet i njëjti skenar, kur në mandatin e tretë e me të gjitha pushtetet në kontroll, PS rikthen akuzat për konsum politik e kauzë elektorale.