VIDEO-SYRI TV/ Banorët e Bërxullës: Askush s’ka reaguar, do përshkallëzojmë veprimet
Banorët e Bërxullës prej javësh po protestojnë kundër projektit të autostradës Milot-Fier pasi sipas tyre shteti po u merr pronat dhe nuk po i kompenson me çmimin e tregut. Banorët thonë se deri tani nuk është ndërmarrë asnjë masë për kërkesat e tyre, ndërsa zotohen se protesta e tyre do të përshkallëzohet, teksa u shprehën se indiferencës së institucioneve do ti kundërpërgjigjen me akte konkrete.
Nga SYRI TV
Banorët e Bërxullës kanë protestuar sërish këtë të diel për mbrojtjen e pronave të tyre, të cilat preken nga ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar, pjesë e autostradës Milot-Fier.
Ata akuzojnë institucionet për neglizhencë, ndërkohë që edhe pas tentativës për vetëflijim të ndodhur vetëm një javë më parë, ku dy banorë kanë qëndruar më shumë se 1 orë në një shtyllë tensioni, nga instancat përkatëse nuk ka pasur ende asnjë reagim.
Banorët kanë renditur gjithashtu edhe kërkesat e tyre, ku kryesore është dëmshpërblimi, ndërsa kanë lënë si afat të fundit ndaj institucioneve të dielën e ardhshme, në të kundërt, protestat e tyre do të përshkallëzohen.
Janë mbi 30 ha tokë bujqësore dhe rreth 22 shtëpi të cilat preken nga projekti i ndryshuar disa herë i autostradës. Protesta e radhës e banorëve të Bërxulles do jetë të mërkurën përpara Kryeministrisë.