9 të vrarë në SHBA, turma po festonte vitin e ri kinez

Nëntë persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në qytetin e Monterey gjatë festimeve për Vitin e Ri Kinez, sipas përditësimeve të BBC.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20 me orën lokale të së shtunës (06:20 GMT të dielën). Mijëra njerëz ishin mbledhur në qytet për festivalin e Vitit të Ri Hënor në Monterey Park.

Policia ende nuk ka bërë të ditur se sa persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat. Departamenti i Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit tha autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë është një burrë, ende i paidentifikuar.

Videot në mediat sociale treguan një prani të madhe policie në qytetin ku ndodhi ngjarja, i cili ndodhet rreth 13 km në lindje të Los Anxhelosit.

Një dëshmitar okular i tha Los Angeles Times se tre persona vrapuan në restorantin e tij dhe i thanë të mbyllte derën pasi kishte një burrë me automatik në zonë.

Festivali vjetor i Vitit të Ri Hënor është një ngjarje gjatë fundjavës që ka tërhequr turma prej më shumë se 100,000 vizitorësh. Festimet e së shtunës mbrëma ishin planifikuar të përfundonin në orën 21:00 me kohën lokale.

Monterey Park ka një popullsi prej rreth 60,000 njerëz dhe është shtëpia e një komuniteti të madh aziatik.