Udhëton në krah të kundërt me 300 km/ orë, e ndjekin 41 makina të policisë gjermane dhe një helikopter
Policia gjermane ka marrë pjesë në një operacion për kapjen e shoferit të një makine, që lëvizte në krahun e kundërt të një rruge me shpejtësi prej 300 kilometra në orë në afërsi të qytetit Shtutgart në jugperëndim të vendit.
Ndjekja si nëpër filma filloi kur shoferi goditi disa vetura dhe më pas u kthye me shpejtësi drejt Shtutgartit-duke lëvizur në drejtimin e kundërt të korsisë.
Dëshmitarët i kishin telefonuar menjëherë policisë e cila u përfshi në këtë ndjekje, ku nga shpejtësia e madhe, makina e tipit Mercedes u ishte “zhdukur” para syve policëve.
E për ta kapur u angazhua edhe një helikopter, duke detyruar shoferin që ta braktisë makinën në mes të rrugës dhe të largohet duke vrapuar.
Policia ka sekuestruar Mercedesin, dhe tani po kërkon të përcaktojë se kush ishte personi që e kishte drejtuar.
Në këtë ndjekje ishin përfshirë 41 vetura të policisë nga gjashtë stacione të ndryshme, si dhe një helikopter.