VIDEO/ Si po përdoren dronët nga Ukraina, për të dokumentuar krimet ruse të luftës

Operatorët e dronëve që operojnë pranë ushtrisë ukrainase, kanë marrë një detyrë të veçantë nga zyra e kryeprokurorit.

Ata detyrohen që çdo ndërtesë të shkatërruar nga sulmet ruse apo vrasje të civilëve, t’i filmojnë me qëllim që të dokumentojnë krimet e luftës që ka bërë Rusia në këtë shtet.

Deri më tani qindra dronë kanë realizuar video të ndryshme në rajonet ukrainase, përfshirë Kharkivin ku pothuajse nuk ka mbetur as edhe një objekt pa u shkatërruar.

E pas analizimit të pamjeve dhe dokumentimit të fakteve, do të ngrihet padi për krime lufte nga Rusia, që filloi pushtimin e këtij vendi në fund të shkurtit të vitit të kaluar.

Ukrainasit vazhdimisht mbajnë në ajër këto mjete pa pilot për të mbikëqyrur çdo lëvizje të trupave pushtuese, ndërsa nga fillimi i luftës janë dëshmuar si tejet efikas dhe armë e fuqishme ndaj pushtuesit.

Me të marrë informacione për lëvizje të ushtrisë ruse në terren, operatorët informojnë eprorët e tyre, që më pas ato koordinata ia japin njësive të artilerisë që nisin t’i godasin.