'Homazh për Prof. Dr. Isuf Kalon'

Nga Sali Berisha.

Të dashur miq, sot mbylli sytë përgjithmonë Prof. Dr. Isuf Kalo, njëri nga personalitet më të shquara të mjekësisë shqiptare.

Prof. Dr. Isuf Kalo ishte një nga promotorët kryesorë të zhvillimit të endokrinologjisë në tërësi dhe diabetologjisë në veçanti në vendin tonë.

Mjek i talentuar, studiues i apasionuar, humanist i përkushtuar, Prof. Dr. Isuf Kalo disa dekada dha një kontribut thelbësor në diagnozën dhe mjekimin e mijëra e mijëra të sëmurëve me diabet dhe në edukimin e tyre.

Ai ka qenë dhe një nga mjekët personalë të diktatorit Hoxha, por ai me aftësitë e tij, njerëzinë, dashurinë, përkushtimin për të sëmurët, nuk u shkëput asnjëherë nga ndihma, përkujdesja, mjekimi i të sëmurëve të të gjitha shtresave.

Me eksperiencën e tij të çmuar në fushën e diabetologjisë dhe edukimit të të sëmurëve diabetikë, studimet e tij serioze shkencore, publikimet e rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, Prof. Dr. Isuf Kalo u bë një ekspert i përmasave europiane në fushën e tij.

Prof. Dr. Isuf Kalo me eksperiencën e tij klinike dhe shkencore dha një ndihmesë të çmuar si këshilltar i OBSH, në drejtimin e Programit Europian të Diabetit të kësaj organizate në luftën kundër kësaj sëmundjeje.

Ai gjithashtu i kushtoi energjitë e tij, drejtimit të Programit të Cilësisë së Sistemit Shëndetësor pranë OBSH në Europë dhe punoi shumë për zbatimin e këtij programi edhe në Shqipëri.

Të dashur miq, me Isuf Kalon me lidh një miqësi që nisi në vitet më të para të punës time si mjek dhe që ka mbetur e paprekur deri në ditët e fundit të jetës së tij. Kështu me ndarjen e tij nga jeta, unë kam humbur një mik të vërtetë, miqësia me të cilin do të mbetet për mua një thesar i çmuar.

Ngushëllimet më të ndjera, familjes! Pushofsh në paqe, miku im!