Pse dështoi marrëveshja për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë
Nga Maximilian Both, BILD
Ishte një triller i madh për tanket: gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë në bazën ajrore Ramstein, Gjermania dhe SHBA u përplasën për dërgimin e tankeve luftarake në Ukrainë. Ministri i ri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius u takua me homologun amerikan, Lloyd Austin.
Por nuk pati asnjë marrëveshje në samitin transatlantik për tanket Leopard.
Siç mësoi BILD, kancelari Scholz thuhet se ka refuzuar të bëjë lëshime, ndërsa SHBA-të kanë qëndruar gjithashtu me kokëfortësi.
Ministri i Mbrojtjes, Pistorius tha përpara takimit se kishte dhënë urdhër për të kontrolluar për gjendjen dhe numrin e këtyre tankeve. “Ne po përgatitemi për skenarin më të keq,” tha ai.
Takimi në bazën Ramstein ishte një zhgënjim për Ukrainën, ata kishin shpresuar se do të furnizoheshin me këto tanke të rëndësishme luftarake për betejat e tyre!
Pistorius premtoi se një vendim do të merrej sa më shpejt të jetë e mundur. Por akoma nuk ka një mendim të përbashkët. Përshtypja se Gjermania po e bllokon një vendim të tillë është e gabuar. “Ka arsye të mira për të dërguar tanket, sikundër ka edhe arsye të forta kundër kësaj,” tha ministri gjerman. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet ende se si do jetë vendimi final.
Në prapaskenë ka pasur një luftë të ashpër për tanket luftarake për Ukrainën. SHBA dhe aleatët e tjerë kishin shpresuar se Gjermania do të dërgonte tanket Leopard 2 dhe do të lejonte vendet e tjera që të furnizonin Ukrainën me tanket e tyre Leopard 2. Sipas rrjetit amerikan CNN, Gjermania e kundërshton me forcë këtë gjë.
Sepse Gjermania kërkon që edhe SHBA të dërgojë në Ukrainë tanket e saj luftarake të tipit Abrams. Sipas informacioneve të BILD, kancelari Olaf Scholz, ia bëri të ditur presidentit amerikan, Joe Biden se ‘tanket e betejës do i dorëzojmë së bashku’. E thënë më konkretisht, Gjermania do të dorëzojë tanket luftarake Leopard vetëm nëse edhe SHBA do të dërgojë tanket e saj Abrams në Ukrainë.
Gjithsesi, Ukraina pritet të marrë një paketë të madhe armatimesh nga SHBA.
Mes tyre: 59 automjete të blinduara Bradley me 590 raketa antitank, 90 automjete luftarake të blinduara për këmbësorinë Stryker, 8 sisteme kundërajrore Avenger, 350 automjete për terrene të vështira Humvee, 53 transportues trupash MRAP, 20 mijë predha artilerie 155 milimetër, 95 mijë predha artilerie 105 milimetër, municione shtesë për sistemet e artilerisë HIMARS, etj.
Përveç kësaj, 19 sistemie artilerie CAESAR do dërgohen nga Danimarka dhe 50 mjete të blinduara CV90 nga Suedia. Përveç kësaj, Finlanda ka premtuar një ndihmë ushtarake me vlerë 400 milionë euro.