SYRI TV/ Ndërkombëtarët zbarkojnë në Prishtinë, Lajçak dhe Escobar takojnë Kurtin

Miroslav Lajcak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog dhe Gabriel Escobar, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor kanë takuar këtë të premte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në takim ishin edhe të dërguarit e posaçëm nga Gjermania, Franca dhe Italia. Lajçak bëri me dije për mediat se do të vazhdojnë të punojnë për dialogun në Bruksel.

Syri Tv

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë vizituar këtë të premte Prishtinën.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Lajçak, në një deklaratë para mediave, tha se delegacioni ka pritur mirëkuptim më të madh rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

 

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”. 

Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë gjithashtu ishin të pranishëm në takimet zyrtare me krerë të lartë të politikës kosovare.

Emisarët ndërkombëtarë po qëndrojnë në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ata, gjatë ditës, pritet të vizitojnë edhe Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.