Mandati i Xhaçkës në Kushtetuese/ Nuri: Padia me 2 pika! Kemi bindjen se çështja do ecë me sukses!

I ftuar në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, avokati i PD-së Franci Nuri ka folur për padinë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e ministres Olta Xhaçka.

Avokati Nura ka theksuar se ka bindjen se çështja do të ecë me sukses dhe se padia është mbështetur në dy pika, e parë për kundërshtimin e vendimit të Kuvendit që ka refuzuar që ta çojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese dhe kemi kërkuar që këto vendime të Kuvendit të shpallen antikushtetuese

Nuri: Pështypjet ishin akoma më të mira pasi dolëm nga seanca sesa para se të hynim në seancë. Dolëm me një imazh mjaft pozitiv, pasi debati i zhvilluar prej 4 orësh sepse u nda në dy pjesë kanë qënë dy seanca të ndryshme, ajo e paradites dhe e pasdites dhe ne kemi qënë te ajo e pasdites.

Patëm mundësinë që të shpalosnim të gjitha argumentat dhe nxorëm në pah defektet e mbrojtjes dhe kjo na bëri optimist dhe kemi bindjen se çështja do të ecë me sukses.

Padia jonë ka 28 firma dhe ka firma jo vetëm nga PD por edhe nga partitë opozitare dhe ka dy objekte. Kjo ka qënë pjesë e strategjisë juridike e ekspertëve të PD dhe kemi rënë dakord ta ndjekim me dy pika.

Pika e parë ka qënë për kundërshtimin e vendimit të Kuvendit që ka refuzuar që ta çojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese dhe kemi kërkuar që këto vendime të Kuvendit të shpallen antikushtetuese.

Nuk jemi mjaftuar vetëm me këtë por kemi kërkuar që çështja e mandatit të deputetes Xhaçka të shqyrtohet menjëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo të shprehet në vendimin e saj nëse zonja Xhaçka e ka shkelur apo jo Kushtetuetën.