'Me mandat, pa mandat, vjedhja jonë shkon sahat'- IRIQI bisedon me Olta Xhaçkën

Iriqi:- Mendon se Gjykata Kushtetuese do të ta heqë mandatin e deputetes?

Xhaçka:- As ma ndin fare për vendimin e tyre.

Iriqi:- Nëse ta heqin, do të thotë që ke shkelur Kushtetutën.

Xhaçka:- Ti Iriq më shkrin fare mua. Akoma me Kushtetutë ti?!

Iriqi:- Po është ligji themeltar.

Xhaçka:- Ka disa vjet që Shqipëria ka ligj tjetër themeltar.

Iriqi:- Cilën?

Xhaçka:- “Ramashtutën e Republikës.” Ajo më nxjerr në rregull mua.

Iriqi:- E sipas cilit nen?

Xhaçka:- "Ramashtuta” nuk ka nene. Ka sms. E sipas sms-së të para ca ditëve, të orës 23 e 37 minuta, unë jam shpallur e pafajshme.Tani këta të Gjykatës Kushtetuese këtë sms e tjerrin dhe e tjerrin, arsyetojnë vendimin e më nxjerrin mua të pastër, akullore me mente dhe vanilje.

Iriqi:- Po opozita do të protestojë.

Xhaçka:- Opozitën ia kemi lënë Kimetes. E mbulon ajo. Thërret tre herë në ditë Alibashët e u jep skenarin. Janë plot vota ata që i bashkojnë me ne dhe miratojmë çdo dalldi të Ramës.

Iriqi:- Dalldi?

Xhaçka:- Mos u bëj kaq naiv, Iriq. Ti e di që Shqipëria drejtohet sipas humorit të Ramës. I shkrepet atij e në çast lëviz shteti. Ja së fundi u përmbyt veriu  ai na dha urdhër të merremi me amnistinë fiskale. Dhe në ajër, dmth në aeroplan ai rri shumë ngaqë nuk do të jetë krah për krah me ne.

Iriqi:- Pse?

Xhaçka:- Se do i duket vetja i barabartë. Këtë nuk e duron dot. Një ditë u zu dhe me pilotin.

Iriqi:- Pse?

Xhaçka:- Pse ti pilot rri para meje në avion, i bërtiste. Dil këndje nga bishti, rri pas meje, i hakërrehej.

Iriqi:- Po nëse do të ta heqin mandatin, çfarë do thuash?

Xhaçka:- Do them se nuk do ndodhë gjë. Sërish do të vazhdoj ministre, burri do të ngrejë resortin e ne si parti çdo të hënë do këndojmë këngën…

Iriqi:- Cilën këngë?

Xhaçka:- Me mandat, pa mandat,

              Vjedhja jonë shkon sahat…