Përmbytjet në Lezhë, tregtarët: Uji ka shkaktuar dëme të mëdha, jemi të falimentuar, shteti duhet të na ndihmojë

Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e fundit kanë sjellë dëme të mëdha në tregun e rrobave në qytetin e Lezhës. Tregtarët janë shprehur se kjo situatë është e përsëritur sa herë ka reshje shiu, pasi kanalizimet janë të bllokuara dhe bashkia nuk ka marrë asnjë masë që ta parandalojë këtë situatë.

Sipas tregtarëve niveli i ujit brenda dyqaneve ka shkuar deri në 50 cm duke krijuar dëme të konsiderueshme. Tregtarët janë organizuar me forcat e veta që të pastrojnë dëmet dhe baltën e lënë pas nga uji.

Sipas tyre, megjithëse paguajnë taksa dhe detyrime, askush nuk është angazhuar për të ndërhyrë, ndërsa nuk bëhet fjale për dëmshpërblime. Kjo nuk është situatë që nuk përsëritet, kjo pasi tregu përmbytet dhe mbushet me baltë sa herë ka reshje intensive të shiut.

"Dëmet janë të mëdha, rrobat dhe këpucët kanë dalë jashtë përdorimit dhe nuk shiten më. Kanalizimet nuk janë bërë dhe si pasojë është krijuar kjo situatë shumë e vështirë, jemi në pragun e falimentimit edhe pse taksat i paguajmë çdo muaj. Vlera e dëmit të shkaktuar është 1-2 milionë lekë, me këtë ne mbajmë frymën gjallë" – u shprehën tregtarët për gazetarin e Syri.Tv Martin Marku.

Tregtarët kanë bërë thirrje që bashkia dhe shteti të zgjohen dhe ti ndihmojnë në këtë situatë të vështirë që po kalojnë, pasi është i gjithë mundi dhe puna e tyre.