SYRI TV/ Edi Rama në krah të presidentit serb për sanksionet, Vuçiç: Nuk sjellin rezultate të mira

Kryeministri  Edi Rama doli  në mbrojtje të presidentit Serb Aleksandër Vuçiç sa i përket vendimit të Serbisë për të mos iu bashkuar  sanksioneve të vendosura nga BE dhe SHBA ndaj Rusisë. Gjatë Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës, Rama kërkoi  më shumë fonde nga Bashkimi Europian, ndërsa u mundua të paralelizonte korrupsionin në Shqipëri, me arrestimet e fundit në Bruksel. 

Nga SYRI TV

Kryeministri Edi Rama ka dalë në krah të presidentit serb Aleksandër Vuçiç sa i përket qëndrimit për sanksionet e vendosura nga BE dhe SHBA kundrejt Rusisë. 

Në panelin e mbajtur në Davos, gjatë Forumit Ekonomik, fillimisht ishte presidenti  serb, i cili  deklaroi se sanksionet në kohë lufte, nuk sjellin rezultat. 

Vuçiç: “I kemi votuar të gjitha rezolutat që dënojnë inkursionin e 24 shkurtit. Tani na thonë kur do të vendosni sanksione?! Ne i kemi vuajtur në kurriz ato sanksione për 10 vjet dhe nuk besoj se kjo do të sjellë rezultate të mira.”

Në mbështetje të kësaj deklarate ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili  e shfrytëzoi çështjen e  sanksioneve për të bërë presion ndaj Bashkimit Europian për më shumë fonde për vendet e rajonit. 

Rama: “Ka shumë kritika kundër Angela Merkelit dhe gjithë politikanëve të verbër që morën gazin rus e që po e zëvendësojnë tani. Mënyra sesi e kuptoj unë botën është që nuk po e zëvendësojnë burimin e pistë rus me disa burime të pastra nga demokraci vibruese. Të gjithë në Ballkanin Perëndimor jemi në një front, përfshirë Serbinë, kur vjen fjala për të dënuar Rusinë, kur vjen fjala për të dënuar pushtimin.  Kur vjen fjala tek sanksionet po, mund të jetë e bëshme për këdo. Por, na duhet të kuptojmë diçka: Po, sanksionet janë mirë por ndërkohë, shtetet e Bashkimit Europian kanë fonde rimëkëmbjeje, kanë fonde për novacionin, kanë fonde për mrekullira nga BE, përpos të ardhurave e tyre. Ne nuk kemi, asnjë nga ne në rajon nuk ka.”

Deklaratat e kryeministrit u bënë gjatë diskutimeve në panelin “Zgjerimi i Horizonteve të Europës” ku e ftuar ishte edhe Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.

Rama e shfrytëzoi këtë mundësi për të justifikuar korrupsionin në Shqipëri, të evidentuar në gjithë raportet e BE-së me arrestimet e fundit në Bruksel. 

Rama: “Çfarëdo që të kërkojë, edhe nëse nuk mbërrijmë kurrë aty, ajo çfarë është e rëndësishme është që të kemi një shtet të ngjashëm me BE-në, me institucione të mirëfillta, me llogaridhënie të mirëfilltë, e kështu me radhë. Por, Roberta, ndjesë, më duhet ta them, kur doli kjo çështja e korrupsionit te ju, thashë që “karma të vjen hakut!”