Ngacmimet seksuale/ Mësuesi i 'Rilindjes' mbetet në qeli, lirohet i riu

Gjykata e faktit në Gjirokastër ka vendosur masën e arrestit 40-ditor në ngarkim të Kleanthi Laçit, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj të miturve.

Gjykatësja Suela Dashi është njohur me ngjarjen përmes prokurores Edlira Manelli, e cila nga ana e saj ka kërkuar burg pa afat për mësuesin e edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” në qytetin e Tepelenës. Nga ana e tij mësuesi ka mohuar te ketë ngacmuar seksualisht nxënëset e tij.

Pas paraqitjes se provave, gjykatësja Suela Dashi ka dhenë vendimin me 40 ditë paraburgim ndaj Kleanthi Laçit, i cili këtë dënim do ta vuajë fill pasi të dalë nga spitali rajonal i Gjirokastrës nga ku dhe kurohet pas dhunës se ushtruar ndaj tij të dielën e kaluar prej vëllait të njërës prej minoreneve të pretenduara se është ngacmuar seksualisht prej mësuesit.

Ndërkohë është liruar nga ambientet e komisariatit të Policisë së Tepelenës Alvi Gumeni, i vëllai i njërës prej nxënësve 13-vjeçare, e cila pretendon se është ngacmuar seksualisht nga mësuesi i edukimit fizik. 

Mbajtja e tij në dhomat e izolimit në komisariat nuk ka kaluar as kufijtë e 48-orarëshit pasi Prokuroria e Gjirokastrës e ka quajtur të paligjshëm arrestimin e tij dy dite më parë pasi u vetëdorëzua në komisariatin e policisë pas dhunës së ushtruar ndaj mësuesit Kleanthi Laçi.

Kleanthi Laçi rezulton të jetë këshilltar i PS-së në Bashkinë e Tepelenës, ndërkohë që ai është pezulluar nga detyra si mësues deri në zbardhjen e ngjarjes.

Ai ndodhet pas hekurave pas denoncimit të një vajze 13-vjeçareje, ndërsa vëllai i saj e dhunoi duke e bërë për spital.