U përplas me furrën e bukës, arrestohet shoferi në Dibër

Policia e Dibrës ka vënë pranga një shtetas i cili dyshohet se ka drejtuar mjetin në gjen dje të dehur dhe është përplasur me një biznes, furrë buke.

Po ashtu policia ka proceduar penalisht dhe një 66 vjeçar i cili është konstatuar se po transportonte pije energjike pa fatura tatimore.

Njoftimi i policisë:

DVP Dibër/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Dibër arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 41 vjeç, banues në Bulqizë, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe automjeti është përplasur me fasadën e një biznesi privat (furrë buke). Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. L., 66 vjeç, banues në Dibër, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga 66-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën koli me pije energjike të pashoqëruara me faturë tatimore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.