Gjermani, liderët e mbrojtjes takohen mes mosmarrëveshjeve mbi tanket për Ukrainën

Baza ajrore Ramstein, Gjermani – Liderët e mbrojtjes do të takohen në bazën ajrore Ramstein në Gjermani të premten për të siguruar ndihmën e ardhshme ushtarake për Ukrainën, mes mosmarrëveshjeve të vazhdueshme se kush do të japë tanket e betejës që udhëheqësit ukrainas thonë se u duhen dëshpërimisht për të rimarrë territorin nga Rusia.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe gjenerali i ushtrisë Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, pritet të diskutojnë paketën e fundit masive të ndihmës që SHBA po dërgon – e cila arrin në 2.5 miliardë dollarë dhe përfshin automjete të blinduara Stryker për herë të parë.

Por hezitimi më i gjerë për dërgimin e tankeve në Ukrainë e ka tronditur koalicionin, pasi Gjermania përballet me presion në rritje për të dhënë tanke Leopard 2 për qeverinë e Ukrainës ose të paktën t'u hapë rrugën të tjerëve - si Polonia - për të ofruar tanke Leopard të prodhimit gjerman nga stoku i tyre.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë refuzuar, të paktën deri më tani, të ofrojnë tanke M1 Abrams, duke përmendur si shkak mirëmbajtjen e gjerë dhe komplekse dhe sfidat logjistike me automjetin e teknologjisë së lartë.

Shtetet e Bashkuara besojnë se do të ishte më produktive të dërgoheshin Leopard pasi shumë aleatë i kanë dhe trupat ukrainase do të duhej vetëm të stërviteshin për atë, kundrejt nevojës për shumë më tepër stërbitje për tanket më të ndërlikuar Abrams.