SYRI TV/ Vdes xhaxhai i Alda Klosit, ndryshon dinamika e hetimeve

Kur ishte përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Tiranës për shumën e 120 mijë eurove që Alda Klosi ia atribuoi, xhaxhai i saj ka ndërruar jetë në SHBA. Lajmi konfirmohet nga të afërmit, ndërsa ngjarja pritet të ndryshojë edhe dinamikën e hetimeve për ish-bashkëpunëtoren e ngushtë të Arben Ahmetajt. Klosi kishte deklaruar se paratë e vjedhura nga Rozeta e Havier Dobi ia kishte lënë xhaxhai në ruajtje. Pas vdekjes së xhaxhait të Klosit ka reaguar edhe kreu i PD-së, Sali Berisha

SYRI TV

Teksa hetimet për ish-shefen e kabinetit Ahmetaj vijojnë nga prokuroria e kryeqytetit, një lajm i hidhur në familjen e Alda Klosit, pritet të ndryshojë edhe dinamikën e tyre. Burime pranë familjes, bëjnë të ditur se ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara xhaxhai i saj, Ylli Çika nga një sëmundje e rëndë.

Ky i fundit u përdor edhe si alibi nga ish-bashkëpunëtorja e ngushtë e Arben Ahmetajt për të justifikuar 120 mijë euro që u vodhën në banesën e saj nga sanitarja Rozeta Dobi dhe i biri Havieri.

Klosi tha se u përkisnin familjarëve të saj, përfshirë Ylli Çikën, dhe i ishin lënë në përkujdesje dhe gjendje për çdo nevojë. Në hetime u përfshinë edhe personat, të cilët Klosi përmendi në deklarimet e saj për të justifikuar paratë, përfshirë edhe xhaxhain, për të cilin nisën verifikimet.

Sipas formularit të vetëdeklarimit, prokurorët kanë evidentuar se xhaxhai i ka dhuruar Alda Klosit dy apartamente në Shëngjin. Ajo ka shënuar se është bërë pronare e dy apartamenteve në zonën bregdetare të Lezhës, nëpërmjet kontratave të dhurimit që datojnë në tetor 2021.

Familjarët e Klosit, që ajo ka përmendur, janë shprehur të distancuar, ndërsa për prokurorinë që po kryen veprime, nuk mund të tregohen detaje të hollësishme rreth deklarimeve përkatëse pasi dëmtojnë hetimet.

Pas vdekjes së xhaxhait të Klosit ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha.

“Hajdutja e qeverisë, Alda Klosi nuk kursen as familjarët në agoni! Krim!” shkruan ai.

404 mijë euro të tjera dhe disa sende me vlerë kanë mbetur pa pronar, teksa Klosi nuk ka pranuar të jenë të sajat. Paratë u gjetën në banesën e Havier e Rozeta Dobit gjatë fazës së dytë të operacionit policor, në tubin e aspirimit. Ishte kjo e fundit që në dëshminë e saj tha se paratë janë marrë në shtëpinë e Klosit.